Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.


www.negotina-live.tk
 
ForumChatiGalleryLatest imagesKërkoidentifikimiRegjistrohu
Kthehu prapa
identifikimi
Identifikimi:
Fjalëkalimi:
Më Identifiko Automatikisht: 
:: Harrova fjalkalimin

 

 Kurani ne gjuhen shqipe .

Shko poshtë 
Shko tek faqja : Previous  1, 2
AutoriMesazh
Hacker_Neg
Admin
Admin
Hacker_Neg


Male
Numri i postimeve : 166
Age : 40
Registration date : 16/12/2008

Kurani ne gjuhen shqipe . - Faqe 2 Empty
MesazhTitulli: Re: Kurani ne gjuhen shqipe .   Kurani ne gjuhen shqipe . - Faqe 2 I_icon_minitimeMon Jan 26, 2009 12:29 am

9:56. Ata betohen për Allahun se janë në fenë tuaj, ndërkohë që nuk janë prej jush, por janë njerëz frikacakë (për të treguar si janë në të vërtetë).
9:57. Sikur ata të gjenin ndonjë strehim, shpellë apo vend mbrojtjeje, do të niseshin atje me nxitim.
9:58. Ka edhe të tillë që të qortojnë për shkak të ndarjes së lëmoshës. Nëse atyre u jepet ndonjë pjesë, ata kënaqen, por, nëse nuk u jepet, përnjëherë zemërohen.
9:59. Sikur ata të kënaqeshin me atë që u ka dhënë Allahu dhe i Dërguari i Tij, do të thoshin: “Na mjafton Allahu! Allahu do të na japë nga mirësitë e Veta; edhe i Dërguari i Tij. Ne vetëm tek Allahu i varim shpresat”.
9:60. Lëmosha e zeqatit është vetëm për të varfrit, për nevojtarët, për ata që janë ngarkuar me mbledhjen dhe administrimin e tij, për lirimin e skllevërve, për të rënduarit nga borxhet, për (luftëtarët në) rrugën e Allahut dhe për udhëtarët e mbetur rrugëve. Këto janë detyrat e vëna prej Allahut. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.
9:61. Ka të atillë që e shqetësojnë të Dërguarin dhe thonë: “Ai dëgjon çdo gjë që i thuhet”. Thuaj (o Muhamed): “Ai dëgjon atë që është e mirë për ju, beson në Allahun dhe u beson besimtarëve. Ai është mëshirë për ata midis jush që besojnë. Kurse ata që e lëndojnë të Dërguarin e Allahut, i pret një ndëshkim i dhembshëm.”
9:62. Ata ju betohen për Allahun për t’ju kënaqur, por është më e drejtë të kënaqin Allahun dhe të Dërguarin e Tij, nëse janë besimtarë.
9:63. Vallë, a nuk e dinë ata, se për atë që e kundërshton Allahun dhe të Dërguarit e Tij, është përgatitur zjarri i Xhehenemit, në të cilin do të qëndrojë përherë? Ky është poshtërimi më i madh!
9:64. Hipokritët druajnë se do të shpallet ndonjë sure e cila do t’i lajmërojë se ç’ka në zemrat e tyre. Thuaj: “Talluni po deshët! Allahu sigurisht që do ta nxjerrë në pah atë së cilës ju i druheni”.
9:65. Nëse i pyet, ata do të të përgjigjen: “Ne vetëm po bënim shaka dhe po luanim”. Thuaj: “A mos vallë me Allahun, shpalljet dhe të Dërguarin e Tij po talleni?”
9:66. Mos u shfajësoni! Ju e mohuat fenë, pasi patët besuar. Nëse Ne i falim disa prej jush (për shkak se u penduan), do t’i ndëshkojmë të tjerët, ngase janë fajtorë (nuk u penduan për talljen që bënë).
9:67. Hipokritët dhe hipokritet janë të ngjashëm me njëri - tjetrin: kërkojnë që të bëhen vepra të këqija e pengojnë të mirat dhe janë dorështrënguar. Ata e kanë harruar Allahun, por edhe Ai i ka harruar ata. Me të vërtetë, hipokritët janë keqbërës.
9:68. Allahu u ka premtuar hipokritëve, hipokriteve dhe mosbesimtarëve zjarrin e Xhehenemit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë; ai do t’iu mjaftojë atyre! Allahu i ka mallkuar dhe ata do të kenë dënim të vazhdueshëm.
9:69. (Ju hipokritë jeni) si ata që kanë qenë para jush! Ata kanë qenë më të fortë se ju, kanë pasur më shumë pasuri dhe fëmijë. Ata janë kënaqur me pjesën e vet të kësaj bote, por edhe ju po kënaqeni me pjesën tuaj siç janë kënaqur edhe ata; edhe ju jeni dhënë pas të këqijave, ashtu siç ishin dhënë ata. Veprat e tyre do të zhduken në këtë botë dhe në tjetrën; ata janë të shkatërruar.
9:70. A nuk kanë dëgjuar ata për popujt që kanë qenë më përpara: për popullin e Nuhut, për fiset Ad dhe Themud, për popullin e Ibrahimit, për banorët e Medjenit dhe për qytetet e përmbysura (të popullit të Lutit)? Të dërguarit e tyre u sollën shenja të qarta. Allahu nuk u bëri padrejtësi, por ata i bënë padrejtësi vetvetes.
9:71. Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin. Ata urdhërojnë që të bëhen vepra të mira dhe i ndalojnë të këqijat; falin namazin, japin zeqatin dhe i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Këta janë ata që do t’i mëshirojë Allahu. Se, Allahu me të vërtetë, është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.
9:72. Allahu u ka premtuar besimtarëve dhe besimtareve kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të banojnë përgjithmonë, si dhe pallate të mrekullueshme në Xhenetin e Adnit. Por kënaqësia prej Allahut është shpërblimi më i madh. Kjo është fitorja madhështore.
9:73. O i Dërguar! Lufto kundër mohuesve dhe hipokritëve dhe bëhu i ashpër ndaj tyre! Strehimi i tyre është Xhehenemi; sa vendbanim i shëmtuar.
9:74. Hipokritët betohen për Allahun se nuk thanë asgjë (të keqe). Por, në të vërtetë, ata thanë fjalën e mosbesimit, mohuan pas (pranimit të) Islamit dhe synuan të bënin gjëra të paarritshme. Ata u bënë keqdashës, vetëm sepse Allahu dhe i Dërguari i Tij u kishin dhënë (besimtarëve) nga të mirat e Tij. Nëse pendohen, do të jetë më mirë për ta; por, nëse kthejnë shpinën, Allahu do t’i ndëshkojë me dënim të rëndë në këtë jetë dhe në tjetrën dhe ata nuk do të kenë kurrfarë mbrojtësi apo ndihmësi në Tokë.
9:75. Ka nga ata (hipokritë) që kanë bërë besëlidhjen me Allahun, duke thënë: “Nëse Ai na jep nga dhuntitë e Tij, sigurisht që do të japim lëmoshë dhe sigurisht që do të bëhemi njerëz të mirë”!
9:76. Por kur Ai u dha atyre nga dhuntitë e Veta, ata u bënë koprracë dhe kthyen shpinën, duke u larguar.
9:77. Prandaj, Ai ua lidhi hipokrizinë në zemrat e tyre, deri në ditën kur do të dalin para Tij, sepse e shkelën premtimin dhënë Allahut. Ata e kishin zakon gënjeshtrën.
9:78. Vallë, a nuk e dinë ata se Allahu i di të fshehtat e tyre dhe bisedat e fshehta?! Në të vërtetë, Allahu është Ai që i di të gjitha fshehtësitë.
9:79. Sa për ata (hipokritë) që përqeshin besimtarët që japin lëmoshë me vullnet dhe tallen me ata që nuk janë në gjendje të japin gjë përveç (fryteve të) punës së tyre, Allahu do të tallet me ta. Ata do të kenë dënim të dhembshëm.
9:80. U lute për ta apo nuk u lute (o Muhamed), Allahu nuk do t’i falë, edhe sikur ti të kërkosh falje për ta shtatëdhjetë herë! Kjo sepse ata e mohuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Allahu nuk i udhëzon në rrugë të mbarë njerëzit e pabindur.
9:81. Ata që mbetën në shtëpitë e tyre, pas (daljes për luftë të) të Dërguarit të Allahut, u gëzuan; nuk u pëlqente të luftonin në rrugën e Allahut me pasurinë dhe jetën e tyre dhe thanë: “Mos shkoni në luftë, nëpër vapë!” Thuaju: “Zjarri i Xhehenemit është edhe më i nxehtë!” Veç sikur të kuptonin!
9:82. Le të qeshin pak (në këtë botë) e të qajnë shumë (në botën tjetër) si dënim për atë që kanë bërë.
9:83. Dhe, nëse të kthen Allahu (pas betejës) te një grup i hipokritëve e ata kërkojnë leje nga ti që të shkojnë me ty në luftë, thuaju (o Muhamed): “Kurrë nuk do të vini me mua në luftë dhe kurrë nuk do të luftoni me mua kundër armikut! Ju ishit të kënaqur kur nuk erdhët herën e parë, prandaj rrini me ata që ngelin pas”.
9:84. Askujt prej hipokritëve, kur të vdesin, mos ia fal xhenazen, as mos rri afër varrit të hipokritit, sepse ata e kanë mohuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe qëndruan të pabindur deri në vdekje.
9:85. Mos u josh (o Muhamed) nga pasuria dhe fëmijët e tyre, sepse nëpërmjet tyre Allahu kërkon t’i ndëshkojë ata në këtë jetë, në mënyrë që t’u dalë shpirti duke qenë jobesimtarë.
9:86. Dhe kur shpallet një sure që thotë: “Besoni Allahun dhe luftoni së bashku me të Dërguarin e Tij!” pasanikët e tyre (hipokritëve) kërkojnë leje, duke thënë: “Na lini të rrimë me ata që nuk shkojnë në luftë!”
9:87. Kënaqen të jenë me ata që nuk shkojnë në luftë, zemrat e tyre janë të vulosura e ata nuk kuptojnë!
9:88. Por, i Dërguari dhe ata që besojnë në të, luftojnë me pasurinë e tyre dhe jetën e tyre. Për ata do të ketë çdo të mirë dhe pikërisht ata do të jenë të shpëtuarit.
9:89. Allahu u ka përgatitur atyre kopshtet e Xhenetit, nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe ku do të banojnë përgjithmonë. Kjo është fitorja madhështore.
9:90. Disa beduinë erdhën me shfajësime, duke të të kërkuar leje, që të mos shkonin në luftë. Dhe munguan ata që e gënjyen Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Ata prej atyre që mohuan, me të vërtetë, do t’i godasë një dënim i dhembshëm.
9:91. Nuk është gjynah të mos shkojnë në luftë të dobëtit, as të sëmurët, as ata që nuk mund të sigurojnë shpenzimet, nëse janë të sinqertë me Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Nuk ka vend për vërejtje ndaj punëmirëve. Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.
9:92. (Nuk ka gjynah) as për ata të cilët, kur vijnë te ti për të kërkuar kafshë shalimi e ti u thua: “Unë nuk mund t’ju siguroj kafshë shalimi”, kthehen me sytë e tyre që u rrjedhin lot, ngaqë nuk mundën të gjenin gjë për të dhënë (në rrugë të Allahut).
9:93. Por ka vend për t’u qortuar ata, që kërkojnë leje nga ti, duke qenë të pasur. Ata kënaqen të rrinë me ata që nuk shkojnë në luftë. Allahu ua ka vulosur atyre zemrat, por ata nuk dinë.
9:94. Kur të ktheheni tek ata, do t’ju vijnë duke u shfajësuar. Thuaju: “Mos kërkoni falje! Sido që të jetë, ne nuk ju besojmë, sepse Allahu na ka lajmëruar për qëllimet tuaja. Me siguri, Allahu dhe i Dërguari i Tij do t’i shohin veprat tuaja; pastaj ju do të ktheheni tek Ai, që i di gjërat e padukshme dhe të dukshme e do t’ju lajmërojë për atë që keni bërë.
9:95. Kur të ktheheni tek ata, do t’ju betohen për Allahun që t’i lini. Largohuni prej tyre! Ata janë të ndyrë dhe strehimi i tyre është Xhehenemi. Ky është dënimi për veprat e tyre.
9:96. Ata do t’ju betohen që të jeni të kënaqur me ata. Nëse ju do të jeni të kënaqur me ata, dijeni se Allahu sigurisht që nuk është i kënaqur me popullin e pabindur.
9:97. Beduinët janë mohuesit dhe hipokritët më të mëdhenj dhe më të prirët për të mos njohur kufijtë, që Allahu ia ka shpallur të Dërguarit të Tij. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.
9:98. Ndër beduinët, ka të atillë, që shpenzimin në rrugë të Allahut, e quajnë si gjobë dhe presin që juve t’ju godasë ndonjë fatkeqësi. Le t’i godasë ata radha e fatkeqësisë! Allahu dëgjon dhe di gjithçka.
9:99. Po ka nga beduinët të atillë që besojnë Allahun dhe Ditën e Kiametit dhe shpenzimin (në rrugë të Allahut) e quajnë si mjet për t’iu afruar Allahut dhe për të merituar bekimin e të Dërguarit. Dhe vërtet që kjo do t’u sjellë afrimin: Allahu do t’i pranojë ata në mëshirën e Vet. Njëmend, Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë.
9:100. Sa u përket besimtarëve të parë, prej muhaxhirëve dhe ensarëve , Allahu është i kënaqur me ata dhe me të gjithë të tjerët që i pasuan me vendosmëri e përkushtim në besim; edhe ata janë të kënaqur me Atë. Allahu ka përgatitur për ata kopshte nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të jetojnë përgjithmonë. Kjo është fitorja madhështore!
9:101. Ka beduinë në mjedisin tuaj, që janë hipokritë, por ka edhe ndër banorët e Medinës të atillë që janë këmbëngulës në hipokrizi. Ti nuk i di ata. Ne i dimë. Ne do t’i dënojmë dy herë e pastaj, do të kthehen në dënimin e madh (në Xhehenem).
9:102. Ndërkaq, disa të tjerë i pranojnë gjynahet e veta, se i kanë përzier veprat e mira me të këqijat. Ka gjasë që Allahu t’ua pranojë pendimin. Vërtet, Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë.
9:103. Merr nga pasuria e tyre lëmoshë me të cilën t’i pastrosh ata dhe t’ua rrisësh veprat e mira! Lutu për ta, sepse lutja jote është vërtet qetësim për ata. Allahu dëgjon dhe di gjithçka.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Hacker_Neg
Admin
Admin
Hacker_Neg


Male
Numri i postimeve : 166
Age : 40
Registration date : 16/12/2008

Kurani ne gjuhen shqipe . - Faqe 2 Empty
MesazhTitulli: Re: Kurani ne gjuhen shqipe .   Kurani ne gjuhen shqipe . - Faqe 2 I_icon_minitimeMon Jan 26, 2009 12:30 am

9:104. A nuk e dinë ata se Allahu është Ai që pranon pendimin dhe bamirësinë nga robërit e Vet dhe se Ai është Pranuesi i pendimeve dhe Mëshirëploti?
9:105. Thuaj: “Punoni, se Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët do të shohin punën tuaj. Së shpejti do të ktheheni tek Ai që di të dukshmen dhe të padukshmen e Ai do t’ju njoftojë për atë që keni bërë.”
9:106. Ka edhe të tjerë që janë lënë në pritje të vendimit të Allahut, a do t’i dënojë apo do t’ua pranojë pendimin. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.
9:107. (Hipokritë) janë edhe ata që ndërtuan një xhami për t’u shkaktuar dëm (besimtarëve), për ta forcuar mohimin dhe për të krijuar përçarje në mesin e besimtarëve, duke iu shërbyer ajo si pusi atyre që qysh më parë luftonin kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Dhe, vërtet ata betohen: “Ne kishim për qëllim që të bënim vetëm një vepër të mirë”! Por Allahu dëshmon se në të vërtetë ata janë gënjeshtarë.
9:108. Ti në atë xhami kurrë mos fal namaz. Ndërsa xhamia e themeluar në përkushtim (ndaj Allahut) që në ditën e parë, pa dyshim që është më e denjë për të falur namaz në të. Aty ka njerëz që duan të pastrohen. Allahu i do ata që pastrohen shpesh.
9:109. Cili është më i mirë, ai që themelet e godinës së vet i vë në përkushtimin ndaj Allahut dhe në kënaqësinë e Tij apo ai që themelet e godinës së tij i vë në bregun e gërryer dhe që rrokulliset me të në zjarrin e Xhehenemit?! Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë popullin keqbërës.
9:110. Godina që ata ndërtuan, mbjell gjithnjë dyshim në zemrat e tyre, derisa zemrat e tyre t’u copëtohen. Allahu është i Gjithëdijshëm, i Urtë.
9:111. Në të vërtetë, Allahu ka blerë nga besimtarët jetën dhe pasurinë e tyre, në këmbim të Xhenetit. Ata luftojnë në rrugën e Allahut, vrasin dhe vriten. (Ky është) premtimi i Tij i vërtetë në Teurat, Ungjill dhe Kuran. E kush i përmbahet besëlidhjes më fort se Allahu? Andaj, gëzojuni kësaj shitjeje! Kjo është fitorja madhështore.
9:112. (Këta janë) ata që pendohen, e adhurojnë Allahun, e falënderojnë Atë, agjërojnë, përkulen (në namaz), bien në sexhde (gjatë namazit), urdhërojnë vepra të mira, pengojnë të këqijat dhe u përmbahen kufijve të caktuar nga Allahu. Jepu lajmin e mirë besimtarëve!
9:113. Nuk i takon të Dërguarit dhe besimtarëve që të kërkojnë falje për idhujtarët, qofshin këta edhe të afërmit e tyre, pasi u është bërë e qartë se ata janë banorë të Xhehenemit.
9:114. Ndërsa lutja e Ibrahimit për faljen e babait të tij, ka qenë vetëm për shkak të një premtimi, që i kishte bërë. Por, kur iu bë e qartë se i ati ishte armik i Allahut, ai u nda prej tij. E megjithatë, Ibrahimi ishte njeri i dhembshur dhe i butë.
9:115. Allahu kurrë nuk e çon në humbje një popull që më parë e ka udhëzuar në rrugë të drejtë, pa ia bërë të njohur se prej çfarë duhet të ruhet. Me të vërtetë, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë.
9:116. Njëmend, Allahut i takon sundimi i qiejve dhe i Tokës; Ai e jep jetën dhe vdekjen. Përveç Allahut, ju nuk keni tjetër mbrojtës apo përkrahës.
9:117. Pa dyshim, Allahu e pranoi pendimin e të Dërguarit, të muhaxhirëve dhe të ensarëve, të cilët shkuan pas atij në çastin e vështirë, pasi zemrat e disave prej tyre për një fije qenë afër shmangies (nga detyra), pastaj Allahu pranoi pendimin e tyre . Vërtet, Ai është i Butë dhe i Mëshirshëm me ta.
9:118. Ai ua pranoi pendimin edhe atyre të treve , që mbetën prapa atëherë, kur toka, sado e gjerë, iu duk e ngushtë dhe iu shtrënguan shpirtrat, aq sa u bindën se nuk ka strehim tjetër përveç Allahut e pastaj Allahu u dha mëshirë që të pendohen. Me të vërtetë, Allahu pranon pendimin dhe është Mëshirëplotë.
9:119. O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe bëhuni me ata që janë të sinqertë (në fjalë dhe në vepra)!
9:120. Banorëve të Medinës dhe beduinëve që janë rreth saj, nuk u lejohet të mos ndjekin të Dërguarin e Allahut, as të kursejnë jetën e tyre para jetës së tij. Kjo është kështu, sepse ata që janë në rrugën e Allahut, sa herë që t’i godasë etja, lodhja e uria dhe sa herë që të shkelin në ndonjë vend ku do t’i zemërojnë mohuesit apo t’i gjejë gjë nga ana e armikut, atyre do t’iu shkruhet si vepër e mirë. Me të vërtetë, Allahu nuk do t’ua humbë shpërblimin punëmirëve.
9:121. (Gjithashtu) sa herë që ata të shpenzojnë diçka të vogël a të madhe apo të kapërcejnë çfarëdo lugine (në rrugë të Allahut), kjo do t’u shënohet, në mënyrë që Allahu t’i shpërblejë sipas veprave më të mira që kanë bërë!
9:122. Nuk është mirë që besimtarët të shkojnë në luftë të gjithë njëherësh, por prej çdo bashkësie, një grup të mbetet mbrapa, që të thellohet në mësimin e fesë dhe kështu të këshillojë popullin e vet, mbasi të kthehet nga lufta, që t’i frikësohet Allahut.
9:123. O besimtarë! Luftoni kundër mohuesve që gjenden afër jush dhe le ta ndiejnë ata ashpërsinë tuaj. Dhe, ta dini se Allahu është me ata që ruhen nga gjynahet.
9:124. Kur shpallet ndonjë sure, disa prej atyre (që kanë dyshim dhe hipokrizi) thonë: “Kujt prej jush do t’ia shtojë besimin kjo sure?” Përsa u përket besimtarëve, atyre (kjo sure) ua shton besimin dhe ata gëzohen.
9:125. E sa u përket atyre që kanë sëmundje në zemrat e veta, ajo ua shton edhe më dyshimin që kanë dhe ata vdesin si mohues.
9:126. 126.Vallë, a nuk e shohin ata se çdo vit vihen në provë një ose dy herë e prapëseprapë as nuk pendohen, as nuk e mbledhin mendjen?!
9:127. Kur shpallet ndonjë sure (që u tërheq vërejtje), ata shikojnë njëri-tjetrin (duke thënë): “A po ju sheh ndokush?” , pastaj largohen. Allahu i shmang zemrat e tyre, sepse ata janë njerëz që nuk kuptojnë!
9:128. Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.
9:129. Nëse ata largohen (nga e vërteta), thuaj: “Më mjafton Allahu, s’ka zot tjetër përveç Tij. Unë mbështetem tek Ai që është Zot i Fronit të Madh!
10. 10
10:1. Elif Lâm Râ. Këto janë vargjet e Librit plot urtësi.
10:2. Vallë, pse çuditen njerëzit që Ne i shpallëm njërit prej tyre (duke i thënë): “Paralajmëroji njerëzit dhe jepu lajmin e mirë atyre që besojnë se, me të vërtetë, për ata ka shpërblim të mrekullueshëm te Zoti i tyre!” Mohuesit thanë: “Ky është njëmend magjistar i madh!”
10:3. Vërtet që Zoti juaj është Allahu, i Cili i krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë, pastaj u ngrit mbi Fron, duke drejtuar çdo gjë. S’ka ndërmjetës tek Ai, përveçse me lejen e Tij. Ky është Allahu, Zoti juaj, andaj adhurojeni Atë! Vallë, a nuk po mendoni?!
10:4. Tek Ai do të ktheheni të gjithë. Premtimi i Allahut është i vërtetë. Ai e zë fill krijimin e pastaj e përsërit atë, që t’i shpërblejë me të drejtë ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira. Sa i përket atyre që nuk besojnë, ata do të kenë pije nga uji i vluar dhe dënim të madh, për shkak se kanë mohuar.
10:5. Ai e ka bërë Diellin burim drite, kurse Hënën e ka bërë të shkëlqejë, duke i caktuar asaj fazat, që ju të dini numrin e viteve dhe njehsimin e kohës. Allahu i krijoi këto vetëm me të vërtetën. Ai ua shpjegon shenjat e Tij njerëzve që kuptojnë.
10:6. Vërtet, në ndërrimin e natës me ditën dhe në atë që ka krijuar Allahu në qiej dhe në Tokë, ka shenja për njerëzit që i frikësohen Allahut.
10:7. Sigurisht, ata që nuk shpresojnë se do të takohen me Ne, që janë të kënaqur me jetën e kësaj bote, duke gjetur prehjen në të dhe që janë të pavëmendshëm ndaj shenjave Tona,
10:8. do të kenë si vendstrehim zjarrin, për atë që kanë bërë.
10:9. Vërtet, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Zoti i tyre do t’i udhëzojë në rrugë të drejtë, për shkak të besimit të tyre. Pranë tyre do të rrjedhin lumenj në kopshtet e kënaqësisë
10:10. dhe lutja e tyre aty do të jetë “Qofsh i lavdëruar, o Zot!”. Përshëndetja e tyre do të jetë “Selam” dhe lutja e tyre e fundit “Falënderuar qoftë Allahu, Zoti i botëve”!
10:11. Sikur Allahu, t’ua shpejtonte të keqen njerëzve, ashtu siç e dëshirojnë shpejt të mirën, me të vërtetë që ata do të zhdukeshin. Megjithatë, ata që nuk shpresojnë takimin Tonë, Ne i lëmë të bredhin të verbër në humbjen e tyre.
10:12. E, kur njeriun e gjen e keqja, atëherë Na lutet shtrirë ose ulur, ose në këmbë. E, sapo Ne ia largojmë të keqen, vazhdon rrugën, thuajse nuk Na është lutur për fatkeqësinë që e ka goditur. Kështu, plëngprishësve (që shkelin kufijtë e Allahut) iu zbukurohet ajo që punojnë.
10:13. Ne i kemi zhdukur shumë brezni para jush, sepse bënin të këqija. Të dërguarit e tyre u sollën prova të qarta, por ata nuk i besuan. Kështu, Ne i dënojmë njerëzit e këqij.
10:14. Pastaj ju bëmë juve pas tyre zëvendës në Tokë, për të parë sesi do të veproni.
10:15. E, kur u lexohen shpalljet Tona të qarta, atëherë ata që nuk shpresojnë se do të dalin, para Nesh thonë: “Na sill ndonjë Kuran tjetër ose ndërroje atë!” Thuaj (o Muhamed): “Është e pamundur ta ndërroj unë atë nga ana ime. Unë shkoj vetëm pas asaj që më është shpallur. Unë druaj, nëse e kundërshtoj Zotin tim, dënimin e Ditës së Madhe.”
10:16. Thuaj: “Sikur të kishte dashur Allahu, unë nuk do t’jua kisha lexuar dhe as që do të bënte Ai që ta mësoni ju atë. Unë kam jetuar një kohë (të gjatë) në mesin tuaj para profetësisë, a nuk po mendoni?”
10:17. Kush është keqbërës më i madh se ai që trillon gënjeshtra për Allahun ose që i përgënjeshtron shpalljet e Tij?! Me të vërtetë, gjynahqarët nuk kanë shpëtim.
10:18. Ata adhurojnë në vend të Allahut atë që as nuk u bën dëm, as nuk u sjell dobi dhe thonë: “Këta janë ndërmjetësit tanë te Allahu”! Thuaj: “A po i tregoni Allahut për diçka që Ai nuk e di në qiej dhe në Tokë?!” Qoftë i lavdëruar Ai dhe i lartësuar mbi gjithçka që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)!
10:19. Të gjithë njerëzit kanë qenë të një feje të vetme, pastaj u përçanë. Sikur të mos ishte thënë më parë fjala nga Zoti yt, atëherë do të gjykohej midis tyre, për atë që nuk u pajtuan.
10:20. Dhe ata thonë: “Sikur t’i ishte zbritur atij ndonjë mrekulli prej Zotit të tij?” Thuaj: “Me të vërtetë, të padukshmet i di vetëm Allahu. E, pritni ju, se edhe unë po pres me ju (gjykimin e Allahut)”.
10:21. Kur Ne, pas të keqes që i godet, u japim njerëzve të shijojnë mëshirën, ata përsëri bëjnë kurthe kundër shpalljeve Tona! Thuaj: “Allahu është më i shpejtë në dënimin e ngatërresave”. Me të vërtetë, të dërguarit Tanë (engjëjt) shënojnë intrigat tuaja.
10:22. Ai ua mundëson (njerëzve) udhëtimin nëpër tokë dhe det. E, kur gjenden në anije që lundron me ta me erën e përshtatshme e ata i gëzohen kësaj, arrin një stuhi dhe i sulmojnë valët nga të gjitha anët e mendojnë se do t’i vënë poshtë, (atëherë) i luten Allahut sinqerisht, duke i premtuar besimin: “Nëse na shpëton nga kjo, me të vërtetë, do të jemi mirënjohës”.
10:23. E kur Allahu i shpëton ata, ata përnjëherë pa kurrfarë të drejte bëjnë turbullira në Tokë. O njerëz! Vërtet, padrejtësia që bëni për t’u kënaqur në jetën e kësaj bote, vetëm ju dëmton. Pastaj ju do të ktheheni te Ne dhe Ne do t’ju njoftojmë për atë që keni punuar.
10:24. Me të vërtetë, jeta e kësaj bote i shëmbëllen shiut që Ne e lëshojmë nga qielli e me të përzihet toka dhe bën bimë, me të cilat ushqehen njerëzit dhe kafshët. E, kur Toka vishet dhe zbukurohet dhe, kur banorët e saj mendojnë se janë zotërues të saj (për ta vjelur a korrur), iu vjen urdhri ynë, natën ose ditën dhe Ne e bëjmë atë si të ishte e korrur, thuajse nuk kishte lulëzuar të djeshmen. Kështu, Ne ua shpjegojmë shpalljet Tona njerëzve që mendojnë.
10:25. Allahu i thërret njerëzit për në Shtëpinë e shpëtimit (Xhenet) dhe udhëzon kë të dojë në rrugën e drejtë.
10:26. Ata që bëjnë vepra të mira, do të kenë shpërblim të mirë, madje edhe më tepër! Fytyrat e tyre nuk do t’i mbulojë as errësira, as poshtërimi. Ata do të jenë banorë të Xhenetit, në të cilin do të banojnë përherë.
10:27. Kurse ata që bëjnë vepra të këqija, do të kenë dënim gjegjës për atë të keqe. Ata do t’i mbulojë poshtërimi, pa pasur askënd që t’i mbrojë nga dënimi i Allahut, me fytyrat e tyre si të ishin të mbuluara me copa të errëta nate. Këta do të jenë banorët e zjarrit dhe aty do të qëndrojnë përgjithmonë.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Hacker_Neg
Admin
Admin
Hacker_Neg


Male
Numri i postimeve : 166
Age : 40
Registration date : 16/12/2008

Kurani ne gjuhen shqipe . - Faqe 2 Empty
MesazhTitulli: Re: Kurani ne gjuhen shqipe .   Kurani ne gjuhen shqipe . - Faqe 2 I_icon_minitimeMon Jan 26, 2009 12:31 am

10:28. Ditën, kur do t’i tubojmë të gjithë, do t’u themi idhujtarëve: “Rrini në vendet tuaja ju dhe idhujt tuaj!” Pastaj do t’i ndajmë ata dhe idhujt e tyre do të thonë: “Ju nuk na keni adhuruar neve.
10:29. Mjafton që Allahu të jetë dëshmitar midis nesh dhe jush. Ne, në të vërtetë, kemi qenë të pavetëdijshëm për adhurimin tuaj.”
10:30. Atëherë, çdo shpirt do të marrë vesh atë që ka punuar më parë. Të gjithë do të kthehen tek Allahu, Zoti i tyre i vërtetë, ndërsa ajo çfarë ata kishin trilluar, do t’i braktisë.
10:31. Thuaj: “Kush ju ushqen nga qielli dhe Toka? Kush mundëson të dëgjuarit dhe të parit? Kush mund të nxjerrë të gjallën nga e vdekura dhe të vdekurën nga e gjalla? Kush i drejton gjërat?” Ata do të thonë “Allahu”. E ti (o Muhamed) thuaj: “Atëherë, përse nuk e keni frikë Atë?”
10:32. Ky është Allahu, Zoti juaj i vërtetë. E çfarë ka pas së vërtetës, përveç humbjes? Atëherë, përse largoheni?
10:33. Kështu përmbushet fjala e Zotit tënd ndaj atyre që bëjnë çrregullime; se, me të vërtetë, ata nuk besojnë.
10:34. Thuaj: “A ka ndër idhujt tuaj ndonjë që mund të fillojë krijimin e pastaj ta përsërisë?” Thuaj: “Allahu e fillon krijimin dhe pastaj e përsërit atë! Prandaj, si largoheni (nga e vërteta drejt së kotës)?
10:35. Thuaj: “A ka ndër idhujt tuaj ndonjë që mund të udhëzojë në rrugë të drejtë?” Thuaj: “Vetëm Allahu udhëzon në rrugë të drejtë! E pra, pas cilit ia vlen të shkosh, pas atij që udhëzon në rrugë të drejtë apo pas atij i cili as vetë nuk është në rrugë të drejtë, veç nëse e shpie dikush? Çfarë keni? Si po gjykoni kështu?!”
10:36. Shumica e tyre veprojnë vetëm sipas hamendjes. Në të vërtetë, hamendja nuk e zëvendëson aspak të vërtetën. Allahu, pa dyshim, e di mirë atë që punojnë ata.
10:37. Ky Kuran nuk është i tillë që të mund të bëhej prej dikujt tjetër veç Allahut. Përkundrazi, ai është vërtetues i shpalljeve të mëparshme dhe shpjegues i Ligjit (për njerëzit) dhe, pa dyshim, është zbritur nga Zoti i botëve!
10:38. Nëse ata thonë: “Ai (Muhamedi) e ka trilluar atë (Kuranin)”, thuaju: “Atëherë, sillni një sure të ngjashme me të dhe thirrni (në ndihmë) kë të mundni, përveç Allahut, nëse thoni të vërtetën.”
10:39. Por ata e mohojnë atë që nuk e njohin plotësisht, ndërkohë që nuk u ka ardhur ende përmbushja e (premtimeve të) tij. Kështu kanë mohuar edhe popujt që ishin para tyre; prandaj shiko si kanë përfunduar keqbërësit!
10:40. Disa prej tyre besojnë në atë (Kuran) e disa nuk besojnë. Zoti yt i njeh më së miri ngatërrestarët.
10:41. Nëse ata të quajnë gënjeshtar, thuaju: “Unë kam (shpërblim për) punën time, kurse ju keni (shpërblim për) punën tuaj. Ju s’jeni përgjegjës për atë që bëj unë dhe as unë s’jam përgjegjës për atë që bëni ju.”
10:42. Ka prej atyre që të dëgjojnë. Por, a mund të bësh ti që të dëgjojnë të shurdhërit, të cilët s’kanë as mend?
10:43. Ka prej atyre që të shikojnë. Por, a mund të bësh ti që të ecin në rrugë të drejtë të verbërit, të cilët nuk shohin?
10:44. Në të vërtetë, Allahu nuk u bën njerëzve asnjë të keqe, por njerëzit i bëjnë keq vetvetes.
10:45. Ditën kur do t’i tubojë, atyre do t’u duket sikur nuk kanë ndenjur në tokë, veçse një çast të shkurtër dite, aq sa për të njohur njëri - tjetrin. Vërtet, janë të humbur ata që nuk e besojnë takimin me Allahun e nuk janë në rrugë të drejtë.
10:46. Edhe në qoftë se Ne të tregojmë ty diçka nga ai (dënim) që u kemi premtuar atyre, edhe në qoftë se ta marrim shpirtin (para se t’i dënojmë), sërish ata te Ne do të kthehen dhe Allahu është dëshmitar për çfarë bëjnë ata.
10:47. Çdo popull ka pasur të dërguar. Dhe, kur atyre t’u vijë i dërguari (Ditën e Gjykimit), do të gjykohet midis tyre me të drejtë dhe nuk do t’u bëhet asnjë padrejtësi.
10:48. Ata (jobesimtarët) thonë: “Kur do të plotësohet ky premtim, nëse thoni të vërtetën?”
10:49. Thuaj: “Unë nuk kam fuqi t’i bëj vetes as dëm, as dobi, përveç asaj që dëshiron Allahu. Çdo popull ka afatin e vet. Prandaj, kur t’u vijë ai, ata nuk mund ta shtyjnë për asnjë çast e as ta shpejtojnë”.
10:50. Thuaj: “Si mendoni ju, nëse ju vjen dënimi i Tij natën apo ditën, çfarë pjese të tij do të përshpejtojnë keqbërësit?”
10:51. A mos vallë, vetëm atëherë kur të ndodhë do ta besoni? Po më parë, përse kërkonit ardhjen e shpejtë të tij?!
10:52. E pastaj, do t’u thuhet keqbërësve: “Shijoni dënimin e përhershëm! Nuk dënoheni ndryshe, përveçse sipas veprave që keni punuar”.
10:53. Ata kërkojnë shpjegim prej teje: “A është e vërtetë ajo?” Thuaj: “Po, për Zotin tim, padyshim që është e vërtetë e ju nuk do të mund ta pengoni atë”!
10:54. Sikur çdo njeri që ka bërë padrejtësi, të kishte tërë pasurinë e botës, do ta jepte atë (Ditën e Gjykimit) si dëmshpërblim (për të shpëtuar). Ata do të fshehin pendimin kur të përballen me dënimin e do të gjykohen me të drejtë dhe nuk do t’u bëhet padrejtësi.
10:55. Vërtetë që Allahut i përket çdo gjë që gjendet në qiej dhe në Tokë. Premtimi i Allahut është i vërtetë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.
10:56. Ai jep jetën dhe vdekjen dhe tek Ai do të ktheheni.
10:57. O njerëz, ju ka ardhur këshillë (Kurani) nga Zoti juaj, shërim për zemrat tuaja, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët.
10:58. Thuaj: “Me dhuntinë e Allahut dhe mëshirën e Tij - vetëm me këto le të gëzohen! Kjo është më e mirë se ajo që grumbullojnë.”
10:59. Thuaj: “Çfarë mendoni ju për ushqimin që jua ka zbritur Allahu, një pjesë të të cilit e bëni të ndaluar e një pjesë tjetër të lejuar?” Thuaj: “A ju ka lejuar Allahu për këtë apo po shpifni gënjeshtra për Allahun?”
10:60. Çfarë do të mendojnë në Ditën e Kiametit, ata që shpifin gënjeshtra për Allahun? Me të vërtetë, Allahu është Bamirës i madh me njerëzit, por, pjesa e tyre dërrmuese nuk e falënderojnë.
10:61. Në çfarëdo pune që të jesh, çfarëdo gjëje që të lexosh nga Kurani dhe çfarëdo pune që të bëni (o njerëz), Ne jemi dëshmitarë, kur ju të thelloheni në të. Zotit tënd nuk i fshihet asnjë grimë peshe, në Tokë e në qiell; as më pak nga ajo e as më shumë nuk mbetet pa u shënuar në Librin e qartë.
10:62. Pa dyshim, miqtë e Allahut nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar dhe as për t’u dëshpëruar.
10:63. (Të tillë janë) ata që besojnë dhe që (i) frikësohen (Allahut).
10:64. Ata i pret lajmi i mirë në këtë jetë dhe në tjetrën. S’ka ndryshim në fjalët e Allahut; kjo është fitorja madhështore.
10:65. Mos u dëshpëro nga fjala e tyre. E gjithë fuqia i përket Allahut! Ai dëgjon dhe di çdo gjë.
10:66. Vërtet, Allahut i përket çdokush që gjendet në qiej dhe në Tokë. E çfarë ndjekin ata që adhurojnë në vend të Allahut zota ortakë? Në të vërtetë, ata nuk ndjekin gjë tjetër, përveç hamendjes dhe vetëm gënjejnë.
10:67. Ai jua krijoi natën për të pushuar në të, kurse ditën për të parë dhe këtu, vërtet, ka shenja (argumente) për njerëzit që ua vënë veshin.
10:68. Ata thonë: “Allahu ka një bir”. Qoftë i lartësuar Ai! Ai është i Vetëmjaftueshëm, s’ka nevojë për asgjë. Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Ju nuk keni asnjë provë për atë që thoni. Pse thoni për Allahun atë që nuk e dini?!
10:69. Thuaj: “Sigurisht, atyre që shpifin gënjeshtra për Allahun, nuk do t’u ecë mbarë”.
10:70. Ata do të kenë kënaqësi të shkurtër në këtë botë e pastaj do të kthehen te Ne dhe, Ne, do t’u japim të shijojnë dënimin e ashpër për shkak se nuk besuan.
10:71. Tregoju atyre historinë e Nuhut, kur i tha popullit të vet: “O populli im, nëse për ju është e rëndë prania ime midis jush dhe që t’ju përkujtoj shenjat e Allahut, (dijeni se) unë jam mbështetur vetëm tek Allahu! Prandaj, bashkë me idhujt tuaj, vendosni si do të veproni dhe vendimi juaj le të mos fshihet; zbatojeni kundër meje e mos më jepni kohë!
10:72. Por, nëse ktheni shpinën, (dijeni se) unë prej jush nuk kërkoj kurrfarë shpërblimi. Shpërblimi im është vetëm tek Allahu. Mua më është urdhëruar të jem prej atyre që (i) nështrohen (Atij).”
10:73. Por ata e quajtën gënjeshtar, kurse Ne e shpëtuam atë dhe të gjithë besimtarët që ishin në anije me të. Pastaj i bëmë ata zëvendës (të atyre që u zhdukën), kurse i fundosëm ata që përgënjeshtruan shpalljet Tona. Shikoje sesi ishte përfundimi i atyre që ishin paralajmëruar.
10:74. Pastaj, pas tij u çuam të dërguar popujve të tyre e ata u sollën prova atyre, por nuk do të besonin çfarë kishin përgënjeshtruar më parë. Kështu, Ne ua vulosim zemrat atyre që kalojnë kufirin.
10:75. Pastaj, Faraonit dhe parisë së tij pas tyre, u dërguam Musain dhe Harunin me mrekullitë Tona, por ata u sollën me mendjemadhësi, sepse ishin popull keqbërës.
10:76. Kur u erdhi e Vërteta prej Nesh, ata thanë: “Kjo duket që është magji e qartë!”
10:77. Musai tha: “A mos vallë, për të Vërtetën, pasi ju ka ardhur, thoni: Kjo është magji? E pra, magjistarët nuk shpëtojnë!”
10:78. Ndërsa ata thanë: “A mos ke ardhur të na kthesh nga ajo (rrugë), ku i kemi gjetur etërit tanë e, ju të dyve, t’ju takojë pushteti në Tokë? E pra, ne nuk duam t’ju besojmë ju të dyve”!
10:79. Faraoni tha: “M’i sillni të gjithë magjistarët e shkathët!”
10:80. Pasi erdhën magjistarët, Musai u tha: “Hidhni ç’keni për të hedhur”!
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Hacker_Neg
Admin
Admin
Hacker_Neg


Male
Numri i postimeve : 166
Age : 40
Registration date : 16/12/2008

Kurani ne gjuhen shqipe . - Faqe 2 Empty
MesazhTitulli: Re: Kurani ne gjuhen shqipe .   Kurani ne gjuhen shqipe . - Faqe 2 I_icon_minitimeMon Jan 26, 2009 12:32 am

10:81. Kur ata i hodhën, Musai tha: “Kjo që keni sjellë ju, është magji dhe vërtet, Allahu do ta shkatërrojë atë. Allahu, me siguri që do ta prishë punën e ngatërrestarëve.
10:82. Allahu, me fjalën e Tij e forcon të Vërtetën, edhe sikur ta urrejnë keqbërësit këtë!”
10:83. Por Musait nuk i besoi askush, përveç një pakice nga populli i tij, nga frika se do t’i keqtrajtonte Faraoni dhe paria e tij. Faraoni ishte vërtet një tiran në tokë dhe në të keqe kalonte çdo kufi.
10:84. Musai tha: “O populli im! Nëse besoni Allahun, mbështetuni tek Ai, nëse jeni myslimanë!”
10:85. Ata thanë: “Ne jemi mbështetur tek Allahu. O Zoti ynë, mos na bëj sprovë për popullin keqbërës (duke i lënë të na shkatërrojnë),
10:86. dhe shpëtona me mëshirën Tënde, nga populli mohues!”
10:87. Ne i shpallëm Musait dhe vëllait të tij: “Ndërtoni shtëpi për popullin tuaj në Egjipt, shndërrojini ato në faltore dhe falni namazin! Dhe sillu lajmin e mirë besimtarëve!”
10:88. Musai tha: “O Zoti ynë! Ti i ke dhënë Faraonit dhe parisë së tij stoli dhe pasuri në jetën e kësaj bote, por ata, o Zoti ynë, na largojnë nga rruga Jote! O Zoti ynë! Shkatërroje pasurinë e tyre dhe ngurtësoi zemrat e tyre, që të mos besojnë, derisa të shijojnë dënimin e dhembshëm!”
10:89. (Allahu) tha: “U pranua lutja e ju të dyve! Qëndroni të dy në rrugën e drejtë dhe kurrsesi mos ndiqni rrugën e të paditurve!”
10:90. Ne i mbartëm izraelitët përtej detit dhe Faraoni me ushtrinë e tij i ndoqi ata nga ligësia dhe armiqësia. Por, kur po mbytej, (Faraoni) tha: “Besoj se s’ka zot tjetër përveç Atij që i besojnë bijtë e Izraelit; dhe unë jam ndër myslimanët.”
10:91. “Vallë, tani (po beson), ndërkohë që më parë ishe i padëgjueshëm dhe ngatërrestar?!
10:92. Sot do të shpëtojmë vetëm trupin tënd, që të bëhesh mësim për ata që vijnë pas teje.” Por, në të vërtetë, shumica e njerëzve nuk ua vënë veshin shenjave Tona.
10:93. Ne i vendosëm bijtë e Izraelit në një vend të mirë të dhe u dhamë ushqim të këndshëm. Ata nuk u përçanë në mendime, derisa u erdhi dituria. Me të vërtetë, Zoti yt do t’i gjykojë ata në Ditën e Kiametit në lidhje me përçarjet e tyre.
10:94. Nëse ti (Muhamed) je në mëdyshje për atë që të kemi shpallur ty, pyeti ata që kanë lexuar Shkrimet para teje. Pa dyshim, ty të ka ardhur e Vërteta nga Zoti yt, prandaj mos u bëj kurrsesi nga ata që dyshojnë.
10:95. Dhe mos u bëj nga ata që i përgënjeshtrojnë shenjat Tona, përndryshe do të ishe ndër të humburit.
10:96. Vërtet, ata që merituan Fjalën e Zotit tënd, nuk besojnë,
10:97. edhe sikur t’u vijnë të gjitha shenjat, derisa të shohin dënimin e dhembshëm.
10:98. Përse nuk pati ndonjë qytet, banorët e të cilit të besonin e t’u bënte dobi besimi i tyre, përveç popullit të Junusit? Kur ata besuan, Ne ua larguam dënimin e poshtërimit në jetën e kësaj bote dhe i lamë të kënaqeshin edhe njëfarë kohe.
10:99. Sikur të donte Zoti yt, do të besonin të gjithë ata që gjenden në tokë. Vallë, ti do t’i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë?!
10:100. Askush nuk mund të besojë, përveçse me vullnetin e Allahut. Ai e zbret zemërimin e Tij mbi ata që s’mendojnë .
10:101. Thuaj: “Shikoni ç’ka në qiej dhe në Tokë!” Por shenjat dhe qortimet nuk u bëjnë kurrfarë dobie njerëzve që nuk besojnë.
10:102. Vallë, a presin ata ndonjë gjë tjetër, veç diçkaje të ngjashme me dënimin e atyre që kanë jetuar më parë? Thuaj: “Pritni, se edhe unë po pres me ju!”
10:103. Pastaj, Ne do t’i shpëtojmë të dërguarit Tanë dhe ata që kanë besuar. Kështu, është detyra Jonë që t’i shpëtojmë besimtarët.
10:104. Thuaj: “O njerëz, nëse ju dyshoni në fenë time, unë nuk do t’i adhuroj ato, që ju i adhuroni në vend të Allahut, por do të adhuroj vetëm Allahun, i Cili do t’ju bëjë të vdisni. Unë jam urdhëruar të jem nga ata që besojnë.
10:105. Dhe (më është thënë): ‘Bëhu i sinqertë në fe dhe kurrsesi mos u bëj nga idhujtarët.
10:106. Përveç Allahut, mos iu lut tjetërkujt nga ata që nuk të sjellin as dobi, as dëm. Nëse do ta bëje këtë, atëherë, ti do të ishe vërtet keqbërës.”
10:107. Nëse Allahu vendos që të të godasë ndonjë e keqe, askush nuk mund të ta largojë atë, përveç Tij e, nëse Ai do të të bëjë ndonjë të mirë, s’ka kush që ta pengojë mirësinë e Tij. Ai ia jep atë mirësi kujt të dojë prej robërve të Tij. Ai është Falës dhe Mëshirëplotë.
10:108. Thuaj: “O njerëz, ju erdhi e Vërteta nga Zoti juaj. Kush udhëzohet në rrugën e drejtë, ai është udhëzuar për dobinë e vet dhe kush e humb rrugën e drejtë, ka humbur në dëmin e vet, ndërsa unë nuk jam mbikëqyrësi juaj”.
10:109. Zbatoje atë që të është shpallur ty dhe duro derisa të gjykojë Allahu, se Ai është Gjykatësi më i mirë!
11. 11
11:1. Elif Lám Râ. Ky është një Libër, vargjet e të cilit janë radhitur mrekullueshëm dhe janë parashtruar me hollësi nga ana e Një të Urti të Gjithëdijshëm.
11:2. Adhuroni vetëm Allahun, sepse unë (Muhamedi) jam për ju një paralajmërues dhe sjellës i lajmit të mirë prej Tij,
11:3. (që ju porosis) të kërkoni falje nga Zoti juaj e të ktheheni tek Ai me pendesë. Ai do t’ju japë të shijoni kënaqësi të bukura deri në afatin e caktuar dhe do t’i japë çdo të miri shpërblimin e merituar. E, nëse ktheni shpinën, unë i frikësohem dënimit tuaj në Ditën e Madhe.
11:4. Tek Allahu do të ktheheni; Ai është i Plotfuqishëm për çdo gjë!
11:5. Ah! Në të vërtetë, ata mbulojnë kraharorin e tyre, që të fshihen nga Ai. Por edhe sikur të mbulohen me petkat e tyre, Ai e di se çfarë fshehin ata dhe çfarë shfaqin. Ai, me të vërtetë, është i Gjithëdijshëm se ç’ka në zemra (të çdokujt).
11:6. S’ka asnjë gjallesë në Tokë që të mos i ketë mjetet e jetesës prej Tij. Ai di vendbanimin e saj dhe vendin e vdekjes. Të gjitha këto janë (të shënuara) në Librin e qartë.
11:7. Është Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë, teksa Froni i Tij ndodhej mbi ujë, për t’ju vënë në provë kush është më i mirë në vepra. Nëse ti u thua: “Ju do të ringjalleni pas vdekjes”, mohuesit, me siguri do të thonë: “Kjo nuk është asgjë tjetër, përveçse magji e kulluar!”
11:8. Nëse Ne ua shtyjmë dënimin për një kohë të shkurtër, ata me siguri do të thoshin: “Kush po e vonon?” Por ditën që do t’u vijë dënimi, asgjë nuk do t’ua largojë atë dhe, do t’i përfshijë ajo që ata e përqeshnin.
11:9. Kur Ne i japim njeriut të shijojë mëshirën Tonë e pastaj ia heqim atë, ai atëherë bëhet shpresëhumbur dhe mohues.
11:10. E, kur pas fatkeqësisë që e ka goditur atë, Ne i japim atij dhunti, ai me siguri do të thotë: “Gjynahet e mia janë larguar nga unë!” atëherë bëhet i gëzuar dhe mendjemadh.
11:11. (Nuk janë të tillë) vetëm ata që durojnë dhe bëjnë vepra të mira; për ata do të ketë falje dhe shpërblim të madh.
11:12. Mund të ndodhë që ti (Muhamed) të lësh mënjanë diçka nga ato që të janë shpallur ty dhe të të ngushtohet kraharori, sepse ata thonë: “Përse nuk i është dërguar ndonjë thesar?” ose, “Përse nuk vjen një engjëll me të?” Ti je vetëm paralajmërues e Allahu kujdeset për çdo gjë.
11:13. Nëse ata thonë: “Ai e ka trilluar atë !” Thuaju (o Muhamed!): “Sillni dhjetë sure të ngjashme (në bukuri dhe elokuencë) të trilluara dhe thirrni në ndihmë kë të mundni, përveç Allahut, nëse thoni të vërtetën!”
11:14. E, nëse nuk ju përgjigjen, atëherë ta dini se ai (Kurani), ka zbritur me dijen e Allahut dhe se s’ka zot tjetër (të denjë për adhurim) përveç Tij. Andaj, a jeni ju (o mohues) myslimanë?
11:15. Atyre që duan jetën e kësaj bote dhe bukuritë e saj, Ne do t’ua shpërblejmë krejtësisht punët e tyre dhe në të nuk do t’u lihet gjë mangët.
11:16. Këta janë ata për të cilët në botën tjetër nuk do të ketë kurrgjë, përveç zjarrit. Do t’u shembet çdo gjë që kanë bërë në këtë jetë dhe do t’u zhvlerësohet ajo që kanë punuar.
11:17. A janë (të barabartë me jobesimtarët), ata, që mbështeten në provë të qartë nga Zoti i tyre , që ndiqet nga një dëshmitar prej Tij (Kurani), para të cilit ishte Libri i Musait (dëshmitar) udhërrëfyes dhe mëshirë? Këta besojnë Kuranin. Dhe për cilindo nga grupet (sektet) që e mohojnë atë, zjarri do të jetë vend i premtuar. Andaj, ti kurrsesi mos dysho në atë; se ai, padyshim, është e vërteta prej Zotit tënd, ndonëse shumica e njerëzve nuk besojnë.
11:18. Kush janë më të padrejtë se ata që trillojnë gënjeshtra për Allahun? Ata do të sillen para Zotit të tyre e dëshmitarët do të thonë: “Këta janë ata që kanë gënjyer kundër Zotit të tyre. Mallkimi i Allahut qoftë mbi të padrejtët,
11:19. të cilët pengojnë (të tjerët) nga rruga e Allahut dhe përpiqen ta shtrembërojnë atë, ndërsa vetë nuk besojnë në botën tjetër.”
11:20. Nuk janë ata që kanë pushtetin në Tokë dhe nuk do të kenë ndonjë mbrojtës tjetër, në vend të Allahut. Atyre do t’u shumëfishohet dënimi, sepse as nuk dëgjonin, as shihnin.
11:21. Këta janë ata që dëmtuan vetveten dhe u humbën idhujt e rremë që i trillonin.
11:22. Vërtet, këta do të jenë më të humburit në botën tjetër.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Hacker_Neg
Admin
Admin
Hacker_Neg


Male
Numri i postimeve : 166
Age : 40
Registration date : 16/12/2008

Kurani ne gjuhen shqipe . - Faqe 2 Empty
MesazhTitulli: Re: Kurani ne gjuhen shqipe .   Kurani ne gjuhen shqipe . - Faqe 2 I_icon_minitimeMon Jan 26, 2009 12:33 am

11:23. Pa dyshim, ata që besojnë, bëjnë vepra të mira dhe përulen para Zotit të tyre, do të jenë banorë të Xhenetit, në të cilin do të qëndrojnë përherë.
11:24. Dallimi midis këtyre dy grupeve shëmbëllen me dallimin midis një të verbri të shurdhër dhe një njeriu që sheh e dëgjon. A janë të njëjtë këta (kur të krahasohen)? A nuk po merrni këshillë?!
11:25. Shumë kohë më parë, Ne dërguam Nuhun te popullit i tij. (Ai u tha): “Unë jam për ju paralajmërues i hapët;
11:26. që të adhuroni vetëm Allahun. (Përndryshe), unë kam frikë për ju dënimin e një Dite të dhembshme”.
11:27. Por, paria e popullit të tij, e cila nuk besoi, tha: “Ne shohim se ti je thjesht njeri si ne dhe, shohim, që ty të shkojnë pas vetëm më të pavlerët nga ne, pa menduar fare. Ne nuk shohim se ti ke diçka më të mirë se ne, madje ju quajmë gënjeshtarë”.
11:28. Ai (Nuhu) tha: “O populli im, mendoni pak! Nëse unë mbështetem në një provë të qartë që më ka ardhur nga Zoti im dhe, nëse nga ana e Tij më ka ardhur një mëshirë, e cila është fshehur nga sytë tuaj, a mund t’ju bëjmë ta pranoni me detyrim (provën), kur ju e urreni?
11:29. O populli im! Unë për këtë nuk kërkoj nga ju kurrfarë pasurie. Mua më shpërblen vetëm Allahu. Unë nuk mund t’i dëboj ata që besojnë. Ata do të takohen me Zotin e tyre. Mirëpo, unë shoh se fatkeqësisht, ju jeni popull, që nuk di.
11:30. O populli im, kush do të më mbrojë nga Allahu, nëse unë i dëboj (besimtarët)? A nuk doni të merrni këshillë?
11:31. Unë nuk ju them se kam thesarin e Allahut apo që e di të padukshmen. As nuk them se unë jam engjëll e as do t’u them atyre, të cilët sytë tuaj i nënçmojnë, se Allahu nuk do t’u japë kurrfarë të mire. Allahu e di më mirë se ç’ka në shpirtrat e tyre. Atëherë, sigurisht që do të isha prej të padrejtëve.”
11:32. Ata thanë: “O Nuh, ti na kundërshtove ne, madje e zgjate kundërshtimin. Le të na godasë ajo me çfarë na kërcënon, nëse thua të vërtetën!”
11:33. Tha (Nuhu): “Vetëm Allahu do t’jua sjellë atë, nëse dëshiron; e ju Atij nuk mund t’i ikni.
11:34. Këshilla ime nuk do t’ju bëjë dobi edhe sikur të doja t’ju këshilloja, nëse vullneti i Allahut është që t’ju shkatërrojë. Ai është Zoti juaj dhe ju tek Ai do të ktheheni”.
11:35. Nëse ata thonë: “Ai e ka trilluar atë ”. Thuaj: “E nëse unë e kam trilluar, gjynahu im bie mbi mua e unë jam larg nga gjynahet që bëni ju”.
11:36. Dhe Nuhut iu shpall: “Nga populli yt askush nuk do të besojë, përveç atyre që tashmë kanë besuar, andaj mos u pikëllo për atë që bëjnë ata!
11:37. Ndërto anijen nën Sytë (mbikqyrjen) dhe udhëzimin Tonë dhe mos m’u drejto më për ata që janë keqbërës! Ata, me siguri, do të fundosen”.
11:38. Ai nisi të ndërtonte anijen. Sa herë që kalonte pranë tij paria e popullit të tij, e përqeshte. Ai u tha: “Nëse ju talleni me ne, edhe ne do të tallemi me ju, ashtu si po talleni ju
11:39. dhe, së shpejti, me siguri, do ta merrni vesh, kë do ta gjejë dënimi poshtërues dhe mbi kë do të bjerë dënimi i përhershëm”.
11:40. Kur arriti urdhri Ynë e uji nisi të gufojë nga sipërfaqja e tokës, Ne i thamë: “Ngarko në anije nga çdo lloj gjallese nga një çift, familjen tënde - përveç atyre kundër të cilëve ka qenë fjala e dënimit - dhe besimtarët!” Por shumë të paktë ishin ata që i kishin besuar atij!
11:41. Ai tha: “Hipni në anije! Me emrin e Allahut ajo lundron dhe ndalet! Me të vërtetë, Zoti im është Falës dhe Mëshirëplotë”.
11:42. Dhe ajo lundronte me ata nëpër valët e mëdha e të larta sa malet, ndërsa Nuhu thërriste birin e vet, i cili ishte ndarë veç: “O biri im, hip me ne e mos u bëj me mohuesit!”
11:43. (I biri) tha: “Unë do të strehohem në një mal i cili do të më ruajë nga uji”. Nuhu iu përgjigj: “Sot askush nuk do të kursehet nga dënimi i Allahut, përveç atij që e mëshiron Ai!” Një valë në mes tyre i ndau dhe ai u fundos.
11:44. Më pas, një zë thirri: “O Tokë, gëlltit ujin tënd dhe ti, o qiell, ndaloje (shiun)!” Dhe uji u tërhoq e u plotësua urdhri (i Allahut). Ndërsa anija u ndal në malin al Xhudij dhe u tha: “Larguar qofshin keqbërësit (nga mëshira e Allahut)!”
11:45. Pastaj Nuhu iu lut Zotit dhe i tha: “O Zoti im, biri im është nga familja ime, premtimi Yt është i vërtetë dhe Ti je Gjykatësi më i drejtë!”
11:46. (Allahu) tha: “O Nuh, ai nuk është nga familja jote, ai ka bërë punë të keqe. Mos më pyet për atë që ti nuk e di. Unë të këshilloj që të mos bëhesh nga të paditurit”.
11:47. (Nuhu) tha: “O Zoti im, mbështetem tek Ti për Të të mos kërkuar gjëra, për të cilat nuk kam dijeni. Nëse Ti nuk më fal dhe nuk më mëshiron, do të jem nga të humburit”.
11:48. Atëherë iu tha: “O Nuh, zbrit me përshëndetje prej Nesh dhe me bekime për ty dhe pasardhësit e atyre që gjenden me ty. Disa popujve (pas teje), Ne do t’u japim kënaqësi e pastaj do t’i godasë nga Ne dënimi i dhembshëm!”
11:49. Këto janë (disa) nga lajmet e fshehta që Ne t’i shpallim ty. Këto nuk i ke ditur as ti, as populli yt para kësaj (shpalljes së Kuranit). Andaj, duro! Se, vërtet, në fund, fitorja është e besimtarëve.
11:50. Fisit Ad (Ne i dërguam) vëllanë e tyre Hudin. Ai tha: “O populli im, adhuroni Allahun! Ju nuk keni Zot tjetër përveç Tij; ju jeni vetëm trillues.
11:51. O populli im! Unë nuk kërkoj nga ju shpërblim për këtë. Mua më shpërblen vetëm Ai që më ka krijuar! A nuk kuptoni?!
11:52. O populli im! Kërkoni falje nga Zoti juaj dhe kthehuni tek Ai të penduar, se Ai do t’ju sjellë shi të begatshëm dhe do t’ju shtojë fuqi mbi fuqinë tuaj. Mos u shmangni prej Atij duke qenë keqbërës!”
11:53. Ata thanë: “O Hud! Ti nuk na ke sjellë kurrfarë prove të dukshme për fjalët e tua, ne nuk do t’i braktisim zotat tanë dhe nuk të besojmë ty!
11:54. Ne themi vetëm se ty të ka goditur ndonjë e keqe nga zotat tanë”. Ai tha: “Unë kam dëshmitar Allahun, por dëshmoni edhe ju, se unë jam larg nga idhujt që ju i adhuroni
11:55. në vend të Tij. Të gjithë ju bëni komplot kundër meje dhe mos më jepni afat aspak!
11:56. Unë mbështetem tek Allahu, Zoti im dhe Zoti juaj. S’ka asnjë gjallesë që të mos jetë nën pushtetin e Tij. Me të vërtetë, Zoti im, është në rrugë të drejtë.
11:57. E, nëse ju shmangeni, unë tashmë jua kam përcjellë atë (mesazhin), për të cilin jam dërguar te ju. Zoti im, në vendin tuaj do të sjellë një popull tjetër, kurse ju nuk mund t’i bëni kurrfarë dëmi Atij. Vërtet, Zoti im është Mbikqyrës mbi çdo gjë”.
11:58. Kur erdhi urdhri Ynë, me mëshirën Tonë, Ne e shpëtuam Hudin bashkë me besimtarët e tij. I shpëtuam ata nga dënimi i rëndë.
11:59. Ja, ky ishte fisi Ad. Ai i mohonte shenjat e Zotit të tij, nuk i dëgjonte të dërguarit e Tij dhe shkonte pas urdhrit të çdo keqbërësi kokëfortë.
11:60. Ata i ndoqi mallkimi në këtë jetë dhe në Ditën e Kiametit. Me të vërtetë, fisi Ad e mohoi Zotin e tij. Qoftë larguar (nga mëshira e Allahut) fisi Ad, populli i Hudit!
11:61. Fisit Themud (Ne i dërguam) vëllanë e tij, Salihun. “O populli im”, - u tha ai - “adhuroni vetëm Allahun. Ju s’keni zot tjetër përveç Atij! Ai ju krijoi nga toka dhe ju vuri të jetoni në të; andaj, kërkoni falje nga Ai dhe kthehuni me pendim tek Ai! Pa dyshim, Zoti im është afër dhe u përgjigjet (lutjeve).”
11:62. Ata thanë: “O Salih! Ti ke qenë i nderuar mes nesh dhe shpresa jonë para kësaj (fjale). A mos vallë po na ndalon ta adhurojmë ato që i kanë adhuruar prindërit tanë? Vërtet, ne jemi në mëdyshje për thirrjen tënde”.
11:63. Ai tha: “O populli im, mendoni pak! Nëse Zoti im më ka dhënë provë të qartë nga Vetja dhe mëshirë, kush do të më mbrojë nga dënimi i Allahut, nëse nuk e dëgjoj?! Ju (me këtë) mua do të më shtonit vetëm humbjen.
11:64. O populli im! Kjo është deveja e Allahut, shenjë e qartë për ju, prandaj lëreni të kullosë në tokën e Allahut dhe mos i bëni ndonjë të keqe, se ju godet ndëshkimi menjëherë”.
11:65. Por ata e therën dhe ai tha: “Jetoni në shtëpitë tuaja edhe tri ditë! Ky është premtimi i vërtetë”.
11:66. E, kur erdhi urdhri Ynë, Ne - me mëshirën Tonë, e shpëtuam Salihun bashkë me besimtarët e tij nga poshtërimi i asaj dite. Me të vërtetë, Zoti yt është i Forti dhe i Plotfuqishmi.
11:67. Kurse ata që bënë të këqija, i kaploi një zë i tmerrshëm dhe në shtëpitë e tyre u gdhinë të vdekur e të palëvizshëm,
11:68. sikur nuk kishin jetuar kurrë në to. Me të vërtetë, fisi Themud mohoi Zotin e tij. Qoftë larguar (nga mëshira e Zotit) fisi Themud!
11:69. Të dërguarit Tanë, i sollën Ibrahimit lajmin e mirë dhe i thanë: “Paqe mbi ty!” Ai u përgjigj: “Paqja qoftë mbi ju!” Dhe me të shpejtë u solli atyre një viç të pjekur.
11:70. Kur pa se ata nuk po i zgjasnin duart tek mishi, nuk i pëlqeu dhe ndjeu frikë prej atyre. (Engjëjt) thanë: “Mos u frikëso, Ne jemi dërguar te populli i Lutit”.
11:71. Gruaja e tij, që rrinte aty, qeshi kur Ne i dhamë lajmin e mirë për Is’hakun e pas Is’hakut - për Jakubin.
11:72. Ajo tha: “Ah! E mjera unë! A mos vallë, kështu plakë do të lind unë, ndërkohë që edhe burri im është plak! Me të vërtetë, kjo është diçka e jashtëzakonshme!”
11:73. Ata (engjëjt), thanë: “A mos vallë, po çuditesh me urdhrin e Allahut? Mëshira e Allahut dhe bekimi i Tij qoftë mbi ju - familjen e të Dërguarit. Me të vërtetë, Ai është i Falënderuar dhe i Lavdëruar!”
11:74. Pasi i kaloi frika Ibrahimit dhe i erdhi lajmi i gëzuar, ai polemizoi me të dërguarit Tanë për popullin e Lutit.
11:75. Vërtet, Ibrahimi ishte i butë, i dhembshur e vazhdimisht i kthyer (tek Allahu).
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Sponsored content





Kurani ne gjuhen shqipe . - Faqe 2 Empty
MesazhTitulli: Re: Kurani ne gjuhen shqipe .   Kurani ne gjuhen shqipe . - Faqe 2 I_icon_minitime

Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
Kurani ne gjuhen shqipe .
Mbrapsht në krye 
Faqja 2 e 2Shko tek faqja : Previous  1, 2

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
 :: Feja islame :: Kurani ne gjuhen shqipe-
Kërce tek: